Mirel Josa i kthehet trajnimit pas një pushimi disa-mujor, që pas largimit prej Tiranës në fund të sezonit të shkuar futbollistik.

Për të ka pasur disa oferta, por ai ka kërkuar të provojë një eksperiencë të re dhe do të drejtojë skuadrën e Prishtinës. Fillimisht ai ishte prezantuar te bardhekaltrit si drejtor sportiv, por pritej që Josa të merrte drejtimin e ekipit si trajner, gjë që ka ndodhur dhe është lajmëruar nga klubi kryeqytetas.

“Në koordinim me Bordin e klubit dhe shtabit profesional, të përbërë nga trajnerët e klubit, është vendosur të bëhet rotacion në udhëheqjen e ekipit të parë. Duke përfillur kriteret e më hershme të krye-trajnerëve me përvojë dhe që pas vetes kanë shumë tituj të fituar, është vendosur që Mirel Josa tani e tutje të udhëheqë ekipin e parë. Ndërsa, krye-trajneri i deritashëm Arsim Thaqi, i cili edhe para se të emërohej krye-trajner, kishte qenë koordinator i klubit dhe i shkollës, emërohet drejtor sportiv. Sot pasdite skuadrën në seancën stërvitore do ta udhëheq Mirel Josa. T’iu kujtojmë se Prishtinën në dy ndeshjet e ardhshme e presin ndeshje shumë të vështira. Të shtunën në Gjilan me skuadrën homonime, ndërsa të mërkurën Prishtina e “pret” Feronikelin vendas në Drenas”, shkruhet në njoftimin e Prishtinës.

 

Share: