Tirana kërkon fitoren e radhës dhe për këtë duhet të mundë Shkumbinin në shtëpi. Dihet që peqinasit nuk janë ata të mëparshmit, kur në fushën e tyre rrallë herë arrinte ndokush të merrte tre pikët.

Gjithsesi vlerësimi për këtë ndeshje te Tirana është maksimal, gjë që e shprehu edhe trajneri Ze Maria në konferencën e sotshme për shtyp.

“Jemi përgatitur për ndeshjen që kemi në program nesër. Nuk do të jetë një formalitet, pasi luajmë përballë një skuadre që ka fituar 2 nga tre ndeshjet e luajtura në kampionat dhe ka 3 pikë më pak. Na duhet të shkojmë me mentalit fitues, vetëm në këtë mënyrë mund të marrim atë që duam. Duhet të ecim me ritmin e duhur”, tha fillimisht braziliani, që mendon se kjo Tiranë është e tij, ka marrë nga mentaliteti i tij dhe kërkon gjithmonë të fitojë.

“Kjo skuadër ka për t’u rritur akoma më shumë. Pa diskutim që është skuadra ime. Ata kanë marrë nga mua mentalitetin që kam. Përgjatë javës ne mendojnë për të fituar ndeshjen e fundjavës. Punojmë për të fituar gjithmonë”, tha Ze Maria, që më pas foli për Shkumbinin.

“Di që janë skuadër që luftojnë fort dhe vrapojnë shumë, sidomos në fushën e tyre, që e shfrytëzojnë shumë. Duhet të jemi më të “këqij” se ata për të fituar”.

Nuk mungoi as pyetje për dallimin mes Superiores dhe së Parës: “Kategoria e Parë është një kampionati i fortë fizikisht, ku mungon cilësia teknike. Këtu qëndron diferenca mes këtyre dy kampionateve dhe kjo është arsyeja pse Tirana ime vuan deri diku të shprehet në fushë. Do të kemi probleme kur të nisin shirat dhe terrenet të ndryshojnë”.

Në fund dy fjalë edhe për merkaton: “Kemi 3 muaj përpara, nuk është serioze të flasim për gjërat që do të ndodhin në janar. Nuk është aspak profesionale të flas për merkaton”.

Share: