Trajneri i Tiranës, Ze Maria, në prag të ndeshjes ndaj Pogradecit, ka dalë në konferencë për mediat, teksa u shpreh se nesër i pret një ndeshje e vështirë ndaj liqenorëve, por bardheblutë do të luajnë vetëm për tre pikë.

“Jemi në prag të një tjetër ndeshje të rëndësishme për sezonin tonë. Përballë kemi një skuadër që luan shumë mirë, për këtë arsye besoj që do të jetë një sfidë e vështirë. 

Siç e kam thënë edhe herë të tjera, Tirana është Tirana dhe duhet të sillet si skuadra më e madhe në Shqipëri. E rëndësishme për ne në këto momente më shumë sesa loja e bukur është të marrim rezultatet, për vetë faktin se jemi vetëm në fillimin e sezonit dhe starti i mirë të shton besimin dhe ndikon mirë psikologjisht.”

Kur tekniku brazilian i Tiranës pyetet nga gazetarët nëse do të ketë risi në grumbullim, ai thekson se Doka dhe Binguila do të jenë në 18-she.

“Në listë do të jetë Binguila, i cili është një lojtar me cilësi të mëdha dhe mendoj se do të na japë një dorë. Nuk e di nëse ai do të luajë që nga fillimi ndaj Pogradecit, por do ta vendos pasi të flas me të.

Gjithashtu, do të jetë edhe Doka, i cili mungoi për arsye disiplinore një javë më parë. Këtë javë është stërvitur mirë.

Prandaj jo vetëm ai, por të gjithë ata që angazhohen, kanë vend në ekip. Shpresoj që tifozët të jenë në stadium nesër dhe të na ndihmojnë, pasi kështu do e kemi më të lehtë që t’ia dalim në këtë kampionat të vështirë.

Duhet të jemi të gjithë në të njëjtin drejtim, jo vetëm skuadra dhe drejtuesit, por edhe tifozët. Pastaj, problemet nuk na përkasin ne, por janë një çështje mes klubit të Tiranës dhe tifozëve.

Unë di vetëm të them, që mbështetja e tyre do të na ndihmonte shumë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Ze Maria.

Tags:
Share: