Tirana pret nesër Naftëtarin në shtëpi prej orës 16:00 dhe bardheblutë do kërkojnë fitoren e tretë në kampionat. Kreu i pankinës, Ze Maria, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për çështje të ndryshme, fillimisht duke u fokusuar te ndeshja e kampionatit dhe rivaliteti në Kategorinë e Parë, ku të gjithë tentojnë t’i mundin ata.

Në fund ai flet edhe për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Vllazninë, teksa kjo klasike do përcaktojë se cila skuadër do kualifikohet në çerekfinalet e Kupës.

“Shpresojmë si gjithmonë që të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës. Kemi marrë maksimumin në dy ndeshjet e para, ndonjëherë duke luajtur jo edhe aq mirë. Në fillim të sezonit të rëndësishme janë pikët. Deri më tani kemi marrë 6 pikë dhe shpresojmë të fitojmë për t’u ngjitur në kuotën 9. Një skuadër si Tirana luan në çdo aktivitet për t’i fituar ndeshjet dhe turneun”.

HUMBJA E THELLË E NAFTËTARIT“Lojtarët e mi nuk do ta nënvlerësojnë asnjëherë një ndeshje. E kemi të qartë që jemi pjesë e një klubi të rëndësishëm me një të kaluar të rëndësishme. Ndaj çdo kundërshtari që do të kemi përballë duhet të luajmë njësoj sikur ndeshemi me kampionët e Shqipërisë. Ky është mentaliteti që kërkoj. Kundërshtarët tanë nuk luajtën me ekipin më të mirë në Kupë dhe për këtë arsye pësuan 13 gola, por çdo ndeshje ka një histori të veçantë dhe nuk mund të quhet e fituar ende pa u luajtur. Nëse pësojmë gol çdo gjë vështirësohet dhe për këtë arsye duhet të jemi të përqendruar dhe të përpiqemi prej fillimit të marrim rezultat”.

MOTIVIMI I KUNDËRSHTARËVE“Në Itali edhe unë kam luajtur në skuadra të vogla, siç është rasti i Peruxhias. Sa herë që luanim ndaj Interit, Juventusit apo Milanit jepnim gjithmonë më të mirën dhe ndonjëherë arrinim të fitonim. E njëjta gjë vlen edhe për Tiranën, të gjithë kundërshtarët duan të tregojnë se mund të luajnë përballë një skuadre të madhe në Shqipëri. Për këtë arsye ndeshjet kundër nesh janë të ndryshme nga ato me kundërshtarët e tjerë, sepse Tirana është skuadra që ka fituar më tepër tituj dhe që njihet më shumë jashtë Shqipërisë. Përshtypja ime është se skuadrat kërkojnë gjithmonë të japin më të mirën dhe kjo na krijon disa vështirësi, por mbi të gjitha në dy ndeshjet e para u shfaq cilësia e kësaj skuadre. Edhe pse nuk jemi në formën më të mirë, dalëngadalë po rritemi. Natyrisht që diçka duhet ta përmirësojmë në nivelin sulmues, mbrojtës por edhe në organizim”.

KUPA “E njoh historinë e asaj ndeshje, por përpara Vllaznisë kemi edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur. Do të mendojmë për këtë sfidë pas datës 14. Do të kemi kohë t’i studiojmë, të shohim ndeshjet e tyre në televizor dhe të shohim video. Për këtë ndeshje do të flasim në vazhdim. Ndërprerja e kampionatit vërtetë do të na presë ritmin e mirë të këtij fillimi të sezonit, por do t’i shërbejë edhe skuadrës për të fituar forcat, sepse kontingjentin e kemi të kufizuar dhe në tetor na presin shumë sfida dhe të rëndësishme për objektivat e sezonit”.

Share: