Tirana largohet nga Kupa e Shqipërisë pas humbjes në Kukës dhe për Ze Marinë ky është një objektiv i madh i humbur. Braziliani i pankinës bardheblu mendon se momenti i golit ishte vetëm një pakujdesi që eleminoi Tiranën.

ELEMINIMI “Kupa ishte një ndër objektivat e mëdhenj të sezonit, për fat të keq e humbëm. Dhamë gjithçka për të shkuar në gjysmëfinale, por për fat të keq bëmë një gabim dhe e pësuam. Ishte një situatë e re, hera e parë që pësonim gol nga goditja e këndit. Më pas u munduam të rikuperonim dhe krijuam edhe raste, por nuk ia dolëm”.

“ÇFARË DO TË NDRYSHOJA? “Asgjë, mungonte vetëm Doka, i dëmtuar, si dhe Mauexhe i pezulluar, ndaj skuadra ishte e njëjta dhe plani i lojës ishte i njëjti. Krijuam mundësitë tona, për pak barazuam në fund. I shkuam pranë golit në disa raste dhe nuk mund të bënim më shumë”.

GOLI I GURIT “Ne nuk lëmë asnjë lojtar të vetëm te pika e penalltisë. Guri nuk kërceu fare dhe ishte i pambuluar. Gjithnjë i mbulojmë kundërshtarët një për një, ndaj nuk ishte problem moduli, por thjesht një mungesë vëmendjeje. Në rastin e golit do duhej më shumë kujdes e përqendrim”.

MUSA & MUGUNA “E kanë gjetur veten në një situatë më të madhe se ata në këtë moment. Janë lojtarë të zotë, të kombëtares së Kenias, por duhet të përshtaten në një kampionat agresiv dhe më të ashpër se i tyre. Të huajt e tjerë kanë pasur kohë të përshtaten, ndërsa Musa e Mohamed janë futur direkt në fushë për shkak të mungesave që kemi. U duhet kohë, ashtu si ndodhi me Sentamu, Uellison e të tjerët”.

Share: