Vllaznia ka një mision të vështirë për të përmbysur humbjen 2-0 të pësuar në ndeshjen e parë me Tiranën, por në Shkodër besojnë se do ia dalin të kalojnë në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë dhe do të bëhet maksimumi.

Trajneri Ernest Gjoka ka dhënë një intervistë për sajtin zyrtar të klubut, Vllaznia.al, teksa flet mbi shanset për të bërë më tej dhe konfirmon katër mungesa për sfidën e nesërme.

Atsina, Marku, Bardulla dhe Pjeshka nuk janë gati, ndërkohë që kreu i stafit teknik bën të ditur se do të ketë edhe ndryshime në formacion.

GJENDJA NË SKUADËR
“Situata sigurisht nuk është më e mira e mundshme, prej vetë rezultateve që kemi, por po mundohemi që të ruajmë qetësinë për të parë përpara në prag të ndeshjes së Kupës. Jemi në një moment jo të mirë sa i takon pjesës së lojtarëve, sepse kemi shumë dëmtime dhe sidomos në mbrojtje”.

OBJEKTIVI
“Ne do të hyjmë në fushë për të kërkuar gjithçka, edhe pse është e vështirë. Do të mundohemi të bëjmë gjithçka për kualifikimin. Sigurisht që kundërshtari vjen i qetë për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të arritur qëllimin dhe pse nuk është e lehtë. Do ta kërkojmë deri në fund rezultatin. Duhen tre gola? E kuptoj që duhen tre gola dhe jam i qartë për shkallën e vështirësisë, por ne do ta provojmë dhe kjo është dëshira e të gjithë skuadrës”.

FORMACIONI
“Kemi ndryshim në mbrojtje për shkak të dëmtimeve dhe ndoshta mund të lëmë në stol një nga mesfushorët për t’i dhënë pak oksigjen dhe për fundjavë, ku na pret një ndeshje akoma edhe më e rëndësishme, ajo për kampionat me Kamzën”.

Share: