Armando Sadiku te Kombëtarja tjetërsohet. Këtë ai e ka thënë në çdo konferencë për shtyp, e tha edhe para ndeshjes me Turqinë.

Lodhja nuk ndihet, ndërkohë që motivimi është tjetër. Në sfidën e djeshme sulmuesi i Legias së Varshavës ia doli të realizojë dy gola.

Bëri detytën dhe festoi gjatë. Ka parakaluar në renditjen e shënuesve më të mirë Igli Taren dhe Sokol Kushtën. Të dy vlonjatët kanë shënuar nga 10 gola.

Po aq sa Sadiku, 11 gola, kanë realizuar Hamdi Salihi dhe Altin Rraklli, ndërsa para tij janë tre futbollistë të tjerë që kanë realizuar më shumë, por kanë zhvilluar më tepër ndeshje.

Ervin Skela numëron 13 gola, ndërsa një më shumë ka shënuar Alban Bushi. Rekordi mbahet nga Erjon Bogdani me 18 gola dhe Sadiku do tentojë ta thyejë këtë rekord dhe i ka të gjitha mundësitë.

Share: