Kristi Vangjeli ka folur sot para sfidës së të enjtes kundër Dinamos së Kievit, duke theksuar se Skënderbeu do ta provojë, por kualifikimi është mision shumë i ndërlikuar, ndërsa kampionati duhet të jetë prioritet.

“Nëse ia dalim mbanë nesër, atëherë mund të bëjmë një surprizë kundër Jang Bojsit, edhe pse ajo skuadër është më e vështirë se sa Partizani i Beogradit. Por gjithsesi ata kanë shanse të mundin nesër Partizanin e Beogradit dhe të na japin ne një shans nëse ia dalim kundër Dinamo Kievit. Sa shanse kemi? Nuk është plotësisht në dorën tonë dhe nuk jemi favoritë, sepse nuk kemi tifozët. Fakti që ata do të luajnë me disa ndryshime mund të na dëmtojë, sepse disa lojtarë të tyre nuk i njohim fare”.

Titulli është synimi madhor: “E mendoj si trajneri, preferoj më shumë të marr 6 pikë kundër Partizanit dhe Kukësit në dy ndeshjet e radhës se sa të kualifikohemi këtu. Është edhe më logjike kështu, sepse objektiv primar dhe i panegociueshëm është titulli kampion. Dinamo e Kievit ka emër shumë të madh në Europë, ka luajtur gjithmonë në grupet e Champions League, edhe pse këtë vit jo. Ka shumë lojtarë të mirë, me vlera në kombëtare të mëdha. Besoj se ka një grup shumë të fortë dhe kjo të bën më të fortë, arrin kaq larg dhe mund të marrësh pikë të plota kudo, ka grup të madh dhe lojtarë me shumë cilësi”.

Share: