Zvicra dhe Bjellorusia janë ekipet kundërshtare të Shqipërisë për femra. Vajzat e drejtuara nga Armir Grima do ta luajnë ndeshjen e parë më 15 shtator ndaj Zvicrës, ndërsa tjetrën e luajnë më 19 shtator.

Në konferencë për shtyp janë paraqitur sot dy vajzat kuqezi, Marigona Zani dhe Megi Doçi, që kanë treguar se janë në një grup të vështirë, por do tentojnë të bëjnë surprizën.

Marigona Zani – “Kaluam shumë mirë në fazën para-eliminatore dhe besoj se me këtë eksperiencë do të japim maksimumin në ndeshjet ndaj Bjellorusisë dhe Zvicrës. Zvicra është një skuadër që ka më tepër vite se ne, është më e konsoliduar dhe luan në turne të mëdhenj. Nuk e kemi rolin e favoritit në grup, por për ne është eksperiencë e madhe që luajmë ndaj këtyre kundërshtarëve”.

“E kemi grupin shumë të vështirë, por do të tentojmë. Të gjitha vajzat e Kombëtares e dinë se me kë do të luajmë dhe duhet të japim maksimumin për të nxjerrë rezultat. Nuk mendojmë vetëm për barazimin. Atë do t’ia lëmë fushës, të japim më të mirën dhe shpresojmë që rezultatet do të vijnë. Kundër Zvicrës detyrën më të madhe do ta ketë mbrojtja, sepse ky kundërshtar e ka sulmin shumë të mirë”.

Megi Doçi: “E dimë që kemi ekipe shumë të mira përballë, por do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Do të japim më të mirën në fushë dhe ndaj Zvicrës nuk do të luajmë si inferiorë, pavarësisht se ata kanë më tepër vite si skuadër se ne dhe do të bëjmë më të mirën. Rezultatin do t’ia lejmë fushës”.

“Kemi kundërshtarë shumë të fort përballë, por do të hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën dhe shpresoj. Jemi shumë mirë në aspektin e kondicionit. Jemi 7 lojtare nga Vllaznia që jemi pjesë e Kombëtares”.

 

 

Tags:
Share: