Myrto Uzuni është një nga lëvizjet më të mira të Laçit në merkaton e verës, teksa mesfushori në dy ndeshet e para të kampionatit nuk ka mundur dot të shënojë.

Në sfidën e fundit me Luftëtarin ai u ndal te traversa, ndërkohë që në një prononcim të dhënë së fundmi Uzuni sheh parësore rezultatet e skuadrës. Beratasi flet edhe për ndeshjen e fundit me Luftëtarin.

“Sa i përket golit, e rëndësishme është skuadra, ajo vjen e para. E dominuam ndeshjen me Luftëtarin, por ky është futbollit, jo gjithmonë fitojnë ata që bëjnë lojën”, ka deklaruar Uzuni në “Supersport”, ndërkohë që më tej flet për përballjen e së dielës me Kukësin.

“Besoj se i kemi të gjitha kualitetet për të bërë të njëjtën surprizë. Ndeshja me Partizanin nuk ishte rastësi dhe besoj se mund ta bëjmë sërish të njëjtën gjë. Normal në transfertë edhe pika është e rëndësishme për ne, duke parë që luajmë me Kukësin, skuadrën kampione. Por nuk na tremb fakti që ata kanë qenë kampionë vjet”.

Share: