Kukësi bën analizën e humbjes me Partizanin. Objektivi fitoret me Laçin dhe Skënderbeun. Sot ekipi dhe stafi teknik FK Kukësit, ka zhvilluar një analizë rreth humbjes së djeshme me Partizanin në Kukës me rezultatin 2–1. Në analizën e parë dhe me prezencën e presidentit të klubit, Safet Gjici, stafi teknik ka dhënë detaje rreth përgatitjes së ndeshjes, duke u ndalur në të gjithë faktorët që ccuan në këtë humbje, por dhe tek paraqitja jo e mirë në katër ndeshjet e fundit. Presidenti Gjici, ka qenë kritik me stafin dhe lojtarët, duke kërkuar më shumë impenjim dhe rezultate, në mënyrë që ekipi të mos dalë nga rruga e titullit për këtë sezon.

“Ju kam dhënë dhe do keni mbështetjen time maksimale, por nuk pajtohem me rezultatet e deritanishme, ndaj kërkoj reagim të menjëhershëm. Dua fitore ndaj Laçit dhe Skënderbeut dhe nuk do ketë penalitete për askënd nëse i merrni katër pikët e radhës. Edhe stafi teknik do ketë mbështetjen dhe besimin tim, sepse është staf profesionist dhe i ka mundësitë bashkë me ju që të rikthehemi tek fitoret që me Laçin. Unë kam qenë dhe do jem korrekt me ju, ndaj dhe ju duhet të arrini rezultate, të justifikoni besimin dhe investimin tim”, ka thënë Gjici në analizë.

Më pas stafi teknik dhe lojtarët kanë zhvilluar analizën e detajuar dhe më pamje të ndeshjes së djeshme, duke nxjerrë përgjegjësitë për secilin lojtar.

Po sot, mesfushori Hair Zeqiri pritet të zgjidhë kontratën me klubin. Zeqiri pak ditë më parë ka deklaruar vetë në seancën stërvitore para stafit dhe shokëve të ekipit se nuk do të jetë më pjesë e Kukësit. Kjo çështje është diskutuar dhe sot në klub. Klubi, duke vlerësuar kontributin që ka dhënë Zeqiri dhe në sezonin e dy viteve më parë me bluzën e Kukësit, e falënderon atë, por nga ana tjetër është i gatshëm që ta lërë të lirë lojtarin në fjalë dhe të zgjidhë kontratën dypalëshe me mirëkuptim dhe pa detyrime ndaj njëri–tjetrit. Procedurat vijojnë sot. Ekipi do të nisë stërvitjen nesër në Pezë, në ora 11.

Zyra e shtypit, FK Kukësi.

Image may contain: text

Share: