Borusia e Dortmundit vijon ankesat e saj pas eleminimit nga Liga e Kampionëve. Pas atentatit me bombë javën e kaluar ku trajneri Tuhel akuzoi UEFA-n për trajtim jo të denjë të skuadrës pas asaj që i ndodhi, një ankesë vjen edhe për policinë franceze.

Trajneri gjerman ka “shpërthyer” kundër tyre pasi sipas tij policia e Monakos i ka penguar duke i mbajtur të bllokuar në autobuz për të paktën 20 minuta përpara ndeshjes me ekipin nga principata.

Tomas Tuhel është shprehur se nuk e kupton këtë sjellje ndaj tyre, pasi autobuzi u mbajt i bllokuar në hotel nga forcat e policisë por pa i dhënë një shpjegim të saktë lojtarëve dhe stafit teknik.

Në fjalën e tij, Tuhel u shpreh: “Dëshironim që në stadium të shkonim në orën 19:15 minuta, pra 90 minuta para fillimit të ndeshjes. Por, nuk arritëm dot ta bënim këtë gjë pasi policia na bllokoi në hotel. Edhe pse të gjithë lojtarët ishin në autobuz, kemi qëndruar aty për gati 20 minuta dhe askush nuk na tregonte përse. Na u komunikua më pas se kjo gjë po bëhej për arsye sigurie. Kur shkon në një ndeshje futbolli dëshiron të jesh i lumtur dhe mos mendosh për këto gjëra, por kur trajtohesh kështu e ke të vështirë”, ishin fjalët e trajnerit të Dortmundit.

Share: