Ndodh që pëson katër gola dhe je më i miri i ekipit. Ndodh edhe që, po të mos ishe ti, ekipit mund t’i bëhej gjëma. Do pësonte aq shumë sa, oh sa shumë…

Mbrëmje e hidhur për Thomas Strakoshën dhe Lacion e tij. Napoli nuk pyet kush i del para dhe fiton me poker golash. Pjesë e parë e barabartë nga lacialët, por në të dytën fiken të gjithë: përveç Strakoshës. Ai është i vetmi që luftoi më furinë napolitane. Në fund të ndeshjes, mediat italiane shkruajnë: “Pëson katër gola, por është më i miri i skuadrës. Në pjesën e dytë eviton një humbje të thellë“. Shpëtojnë dhe De Vrij (autori i golit bardhekaltër) me Leivan.

Për t’u kthyer te Strakosha. 22-vjeçari ka një personalitet dhe talent të pabesueshëm. Duket sikur ka vite që mbron portën e anës laciale të kryeqytetit të përjetshëm. Momenti është i mrekullueshëm. Karriera po ecën mbarë. Kombëtare dhe titullar i Lacios. Në të parën, “ndan dhomën” me Berishën. Një tjetër portier shumë i mirë, i një Atalante shumë të fortë që lufton për “Europa League”. Por portierët kanë një problem. Kur shkëlqejnë, kanë kryer normën, ndërsa kur gabojnë, janë gjithmonë fajtorë. Etriti e ka të freskët.

Një portier i tretë, që garon në Superiore, e shpjegoi më bukur dje. “Kur nuk pësojmë, ne portierët kemi kryer vetëm detyrën. Më takon të stërvitem akoma më shumë, për ta mbajtur portën të paprekur. Stërvitem dy herë në ditë. Stërvitja dhe përqëndrimi të sjellin fryte”, përgjigjej, pasi e kishin pyetur se si ndihesh kur sapo ke mbyllur ndeshjen e katërt rresht me Partizanin, pa pësuar gol (3 këtë sezon, 1 sezonin e kaluar). Tri nga këto në kryeqytet e një në Laç.

Gentian Selmani, kapiteni 19-vjeçar i bardhezinjve. Një kat poshtë Strakoshës e Berishës. Titullar i U-21 të Shqipërisë. Edhe atij po i ecën mbarë karriera. Ka debutuar 17-vjeç, në një finale Superkupe dhe ka pritur penalltinë vendimtare. 120 minutat e para dhe je “Super Kampioni”. Mbi 80 ndeshje bardhezi dhe vetëm 19 vjeç. Sot është kapiteni i një Laçi shumë të fortë që lufton përherë për Kupën.

E ardhmja e portës kuqezi është me ngjyra të bukura. Strakosha, Berisha dhe Selmani. Të tre janë të talentuar, profesionistë dhe afrojnë siguri. Dhe sapo kanë shkelur gazin. Mjafton të punojnë dhe të mos kenë dëmtime dhe i pret një karrierë brilante.

Për ta mbyllur me Strakoshën. Tomasi është një fenomen. Ai po shijon gjithçka me një ftohtësi natyrale. Është vetëm 22 vjeç dhe gjysma e Europës i janë vënë mbrapa. Gardianit shqiptar të Lacios. Që edhe kur pëson katër, është më i miri i ekipit. Vetëm portierët dhurojnë kryevepra në humbje të rënda.

Thomas Strakosha
Thomas Strakosha
Etrit Berisha
Etrit Berisha
Gentian Selmani
Gentian Selmani
Share: