Fitore me shumë vlerë e Tiranës ndaj Pogradecit në Grupin B të Kategorisë së Parë. 0-3 përfundoi ky takim i luajtur në Pogradec, ku për 30 minuta, pogradecarët po u rezistonin më së miri sulmeve të miqve që kërkonin me ngulm, golin e fitores.

Në minutën e 30-të Sentamu realizoi golin e parë të sfidës, teksa pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga mbrojtësi Doka, sfera mbërrin në shtyllën e dytë ku sulmuesi kërcen dhe shënon me një gjuajtje me kokë. 0-1 përfundoi pjesa e parë, me Tiranën që u hodh në sulm në fraksionin e dytë për të gjetur golat që do të vlenin tri pikët.

Pas shumë përpjekjesh dhe rasteve të humbura nga skuadra e trajnerit Ze Maria, erdhi goli i Ngoo në të 59-tën, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë të Tiranës, topi shkon te sulmuesi, i cili pasi shmang të dy mbrojtësit kundërshtarë gjuan në portë duke realizuar golin e tij të parë në Shqipëri. 0-2.

Pak minuta përpara fundit, kishte kohë edhe për një tjetër gol nga Sentamu në minutën e 77-të, i cili mbyll çdo diskutim për ndeshjen duke realizuar golin e tretë për bardheblutë. Mbrojtësi Hoxhallari nis një top në zonë nga e majta dhe sulmuesi përfiton nga përgjumja e mbrojtjes vendase për të shtyrë topin në rrjetë, 0-3.

Me këtë fitore Tirana ndodhet në vendin e dytë me 6 pikë, me pikë të barabarta me Bylisin e vendit të parë, ndërkohë që Pogradeci mbetet me vetëm 1 pikë në vendin e tetë.

Pogradeci-Tirana 0-3

Golat: Sentamu 30’, 77’, Ngoo 59’

Tags:
Share: