Vllaznia U19 u mposht në ndeshje e parë të UEFA Youth League në Moldavi nga Zimbrus, ndërkohë që shkodranët po bëhen gati për ndeshjen e kthimit për të përmbysur humbjen 3-1.

Veç kësaj, kjo ndeshje është e rëndësishme edhe për të ardhmen e të rinjve shkodranë, pasi menaxherë të ndryshëm po i vëzhgojnë ata, madje për njërin prej tyre ka pasur edhe një ofertë që në ndeshjen e parë në Moldavi.

“Këtë djem ende nuk e dinë rëndësinë e kësaj pjesëmarrje. Ata tashmë janë në sytë e shumë menaxherëve të huaj. Që në Kishinau pati interesime për ta. Për ndonjërin nga futbollistët tanë, madje si për shembull Hysenajn, pati edhe një ofertë nga vetë drejtuesit e Zimbrus, por për ne ajo ofertë ishte qesharake nisur nga vlerat që disponon ky futbollist. Jo vetëm kaq. Në ndeshjen e kampionatit që zhvilluam dy ditë më parë në Shkodër ndaj Laçit, në tribunën e “Reshit Rusit” kanë qenë të pranishëm tre menaxherë. Bëhet fjalë për një menaxher të ekipit danez të Kopenhagenit, një të AEK-ut të Athinës dhe një menaxher të një ekipi rumun që ka qenë edhe në Moldavi. Ata janë interesuar për futbollistë si Hysenaj, Pusi, Miloti, e ndonjë tjetër. Duan t’i shohin nga afër, të dinë kushtet e kontratës së tyre dhe shumë gjëra të tjera. Jam i bindur se edhe më 18 tetor, në ndeshjen e kthimit ndaj FC Zimbrus, në tribunën e ‘Loro Boriçit’ do të ketë përsëri menaxherë të ndryshëm dhe kjo është një mundësi e mirë për futbollistët tanë për të treguar vlerat e tyre”, ka deklaruar Alban Hasani, përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia, në “Shkodrasport.com”

Share: