Gjithmonë Shkodra ka prodhuar e prodhuar futbollistë. Sasi dhe kualitet. Tepër e vështirë të gjesh ndonje ekip që nuk ka futbollistë shkodranë në përbërje. Akademia e Vllaznisë është ndër më të mirat në vend. Ka traditë pune me moshat, dominohet në kampionatet respektive, por lë për të dëshiruar menaxhimi i “djelmoshave” që janë gati për t’u bërë “burra”. Edhe pse me dëshirën e madhe për të kontribuar për ekipin e zemrës, shumë futbollistë kanë zgjedhur ose janë “detyruar” ta nisin karrierën tjetërkund. Në ato anë futbollin e luajnë bukur dhe gjithë ekipet nuk ja kanë përtuar kur kanë patur rastin të “rrëmbejnë” ndonjë talent. Vitet e fundit e ka bërë Laçi sa për të dhënë një shembull. Dhe ja ka parë hajrin.

I fundit Partizani. Afroi Senad Hysenajn për shifrën qesharake të 4 milionë lekëve…të vjetra. 18-vjeçari shihej si një nga potencialet më të mëdhenj që vinin nga moshat, por Partizani ka vepruar shpejt duke e veshur me të kuqe, Hysenajn. Në Shkodër janë vonuar. Si shpesh herë vitet e fundit.

Por drejtuesit shkodranë kanë reaguar. Ditën e sotme, kapiteni i U-19, Arsaed Rahova, ka kaluar me ekipin e parë. Tri vite kontratë për lojtarin që luan mirë si në krahët e mbrojtjes ashtu dhe në mesfushë. Nëse më vonë e kërkon dikush, nuk do ketë shansin të paguajë 4 milionë të vjetra.

“K.F Vllaznia asnjëherë nuk e ka hequr vëmendjen nga lojtarët me të dhëna të mira të akademisë dhe padyshim që do të vazhdojë t’i trajtojë siç duhet ato, sepse e ardhmja është e këtyre futbollistëve” thuhet në deklaratën e prezantimit të Rahovës.

Por jo vetëm trajtim. Duhet menaxhim i mirë dhe besim. Të rinjtë nuk kanë nevojë për më shumë se kaq. Ndonjëherë kur përveç kualitetit ke dhe sasi, sigurisht që do ketë firo, por të paktën profesionist duhet të jesh gjithmonë. Qoftë rasti i Hysenajt një mësim i mirë dhe qoftë rasti i Rahovës një ogur i mirë. Për Vllazninë, tifozerinë shkodrane, por dhe gjithë futbollin shqiptar.

 

 

rahova-vllaznia

 

Share: