Skënderbeu nuk ka ndërmënd të dorëzohet në luftën për titullim kampion këtë sezon. Skuadra korçare ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme teksa ka mposhtur Tiranën me rezultatin 1-0 në një ndeshje mjaft të luftuar. Tirana ka bërë një ndeshje të shkëlqyer dhe rezistencë, por në fund i janë dorëzuar supermacisë së kampionëve.

Ishte Hamdi Salihi heroi i bardhekuqve që me golin e tij në minutën e 84’ i dha fitoren skuadrës së tij, që vijon të mbetet në ndjekje të Kukësit me vetëm 1 pikë diferencë. Sulmuesi shkodran ktheu në gol një 11 metërsh duke mbajtur sërish në lojë ekipin e tij, që nuk ndalet në rrugën drejt ruajtjes së titullit kampion.

Ndërkohë, Tirana mbetet në vendin e parafundit në renditje, duke rrezikuar seriosisht tashmë rënien nga Kategoria Superiore.

Nga ana tjetër, Partizani i thotë lamtumirë përfundimisht titullit kampion. Të kuqtë e Starovës barazuan 1-1 në transfertën e Flamurtarit, duke humbur shanset për të luftuar deri në fund për të fituar kampionatin.

Golin e Ekuban në pjesën e parë e barazoi Bruno Telushi në të dytën me 11 metërsh, gol që i jep pikë mbijetese Flamurtarit dhe i jep goditjen e madhe Partizanit që tani është minus 4 pikë nga kreu i renditjes.

Share: