Xhani De Biazi nuk mund të mos flasë për ndeshjen Shqipëri-Itali. Luan atdheu i tij dhe vendi që i dha pasaportën dhe regjistroi suksese historike, duke marrë pjesë për herë të parë në kampionatin Europian.

Pas tij Italia e kërkoi: “U ndieva paksa i vjedhur, pasi isha në avantazh. Por, isha i impenjuar me Shqipërinë dhe nuk ia dola të lirohem. Shkoi ndryshe dhe tani nuk ka aspak xhelozi”, thotë De Biazi në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”.

“Me Maqedoninë mund dhe duhej të fitonim, por futbolli rezervon edhe surpriza. Do të kualifikohemi, edhe pse në Shkodër do të jetë e vështirë”, thotë më tej tekniku italian i Alaves, që paralajmëron “axurrët” për vështirësinë e ndeshjes me Shqipërinë.

“Shqipëria, është dhe mbetet larg teknikisht dhe për njëmijë motive të tjera, histori, kualitet individësh apo eksperiencë, por nuk i mungon grinta, agresiviteti dhe dëshira për të surprizuar. Me Panuçin kanë edhe diçka më tepër, dëshirën e lojtarëve për t’i rënë në sy trajnerit të ri. Pikat e forta? Janë vendosmëria dhe organizimi”.

Sa i takon kualifikimit të Italisë në Botërot, De Biazi është i sigurt se kjo do ndodhë: “Do të shkojmë në Botëror me 100% nëpërmjet ‘play-off’-it, nëse nuk ndodh diçka e pazakontë. Si skuadër mund vetëm të rritemi, dhe në momentet vendimtare bëhemi më kompaktë. Nuk është ky rasti, por shpesh na duhet të prekim fundin për t’i dhënë formë dëshpërimit. Gjithsesi ‘play-off’-i nuk është një tragjedi”.

Share: