Shqipëria U21 luan me Islandën ditën e martë, ndërkohë që Superiorja rikthehet dy ditë më pas me ndeshje mjaft interesante. Trajneri Alban Bushi ka ftuar disa futbollistë nga kampionati ynë me kuqezinjtë, duke bërë që gjatë kësaj periudhe ata të mungojnë gjatë përgatitjeve me klubet e tyre.

Nga Vllaznia është marrë mesfushori Ardit Krymi, që vetëm të mërkurën do të mbërrijë në Shkodër, për të zhvilluar vetëm seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Flamurtarin.

Kjo e penalizon lojtarin dhe ekipin shkodran, pasi trajnerit Cungu i duhet që gjatë gjithë kësaj periudhe të luajë me një tjetër futbollist në vendin e Krymit dhe zor se do të ndryshojë plan një ditë para ndeshjes, edhe pse bëhet fjalë për një futbollist shumë të rëndësishëm të formacionit.

Me Shpresat janë edhe tre futbollistë të Laçit, portieri Gentian Selmani, mesfushori Sherif Kallaku e mbrojtësi Amer Duka. Që të tre do vihen nën urdhrat e Mezanit të mërkurën, me portierin që pritet të luajë titullar në Korçë, ndërsa dy futbollistët e tjerë do e nisin nga stoli.

Share: