Laçi ka barazuar në miqësore me Kastriotin, ndërkohë që pas ndeshjes trajneri Stavri Nica ka folur për mediat në lidhje me ndeshjen e zhvilluar nga ekipi i tij dhe problematikat që po hasin, kryesisht me vonimin e lojtarëve të huaj që presin.

“Rëndësi ka që këto ndeshje i shërbejnë stërvitjeve, u bënë gjashtë javë që i kemi nisur përgatitjet, që i kemi nisur herët. Normalisht në bazë të përvojës që kam, edhe lojtarët aktual bëjnë një periudhë pushimi absolut, vijnë me vonesë 2-3 javë ato që janë titullarë dhe duhet kohë të bëhen gati. Kemi probleme fizike, pasi të hysh në një fazë duhet të jesh në gjendje ta nisësh gradualisht dhe ta rrisësh. Te ne çuditërisht ndodh ndryshe. Lojtarët vijnë vonë, vijnë nga pushime absolute dhe kjo tregon që me mentalitet janë amatorë, pra janë shumë të vegjël në mendimin për futbollin dhe ky është një problem shumë i madh për futbollin shqiptar. Këtë problem e kanë edhe klubet e tjera. Edhe lojtarët e rinj shoh që kanë probleme të mbartura nga moshat. Shpresoj te Bushi, që ka dhuntitë e veta, por ka probleme që gradualisht do eliminohen. Të rinjtë janë me pikatore, ka qytete që nuk kanë fare, ndaj edhe hidhen sytë nga menaxherët për të sjellë lojtarë. Presim edhe ne tre lojtarë për të ardhur këtu, që kanë probleme me vizat e gjëra të tjera. E përgjithshmja është se jemi dobët, ndaj i thashë gjithë këto, që Superiorja hyn te ligat amatore, sepse kështu janë në mendime. Shoh që edhe presidenti është shumë i zhgënjyer, gjithashtu edhe unë. Lojtarët më figurojnë diletantë në testet që kam bërë. Këtu te ne nuk para i thonë këto gjëra, por unë i them”.

Durrsaku i pankinës në fund foli edhe për largimin e kapitenit Vucajt, duke u shprehur se shkodrani ka ikur nga klubi për arsye disiplinore, ndërkohë që deklaron se presin tre lojtarë.

“Vucaj u largua për arsye disiplinore, ndërsa sa i takon merkatos, janë tre lojtarë për të ardhur. Presim dy lojtarë nga Brazili, por ka një sërë pengesash, biletat, vizat, ndaj ne po i presim”.

Share: