Orges Shehi, foli pas ndeshjes për RTSH, ku theksoi se skuadra bëri një paraqitje të mirë, dhe se të paktën e meritonte barazimin.

Më vjen keq për rezultatin, sepse luajtëm mirë, si të barabartë, duke treguar se nuk jemi inferiorë ndaj askujt.

“Kemi luajtur dy kampionate: në Shqipëri dhe në Europë, një numër shumë i madh ndeshjesh. Jemi paraqitur shumë mirë, kemi luajtur futboll europian, kemi dhuruar ndeshje të mira brenda e jashtë Shqipërie.

E ardhmja? Nuk ka rëndësi ajo, duhet të mendojmë për të ardhmen e skuadrës, jo personalen. Dalim nga një kompeticion shumë i rëndësishëm, eveniment shumë i madh për ne që luajmë në Shqipëri. Është edicioni i dytë që marrim pjesë në grupe dhe këtë radhë kemi dalë me kokën lart, është një vit që do të lërë shenjë.

Arbitri? Nuk e kam zakon të flas për arbitrat. Me sa më thanë çunat, pati disa momente të dyshimta në zonën e Jang Bojs, por nuk është në karakterin tim të merrem me gjykimet.

Nervozizmi i skuadrës? Ndoshta mund ta menaxhonim ndeshjen pak më mirë, por kështu është futbolli, në fund ndëshkohesh. Më kujtohet pak ndeshja me Dinamon e Zagrebit, kur në fund kaluam pak në panik dhe e pësuam në shtesë”.

Share: