Etrit Berisha nuk është nga ata që flet, këtë e bën rrallë, por pas ndeshjes me Italisë dhe paraqitjeve që po bën me Atalantën, normalisht mediat janë të interesuara të mësojnë diçka nga portieri i Kombëtares.

“Corriere dello Sport” ka intervistuar Berishë, që ka folur për formën e tij dhe të Atalantës, duke zbuluar edhe “sekretet” e skuadrës bregameske.

Më tej ai ka folur për përballjet në Europë, penalltinë që i priti Dibalasë, ndërkohë që jashtë fokusit nuk mbetet Seria A, Lacio dhe Italia, që të hënën na mposhti në “Loro Boriçi”.

SEKRETI I FORMËS DHE I ATALANTËS
“Forma e mirë është meritë e Atalantës. Tani jam shumë i qetë dhe mendoj vetëm të punoj. Pakkush e mendonte sezonin e shkuar se mund të renditeshim të katërtët dhe besoj se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por jemi ende të aftë të habitim. Fillimi i kampionatit ka qenë pozitiv dhe në Europë e kemi nisur mbarë, me 4 pikë në dy ndeshje. Vështirë se mund të bëhej më mirë se aq. Sekreti? Puna. Nuk ishim mësuar të luanim çdo tre ditë, por jemi përshtatur me shpejtësi falë trajnerit Gasperini, një trajner që të nxit të japësh gjithçka, gjithmonë. Me të nuk e ul dot ritmin, por ai të lejon të kapësh maksimumin sepse kujdeset për çdo detaj. I pëlqen futbolli ofensiv dhe dëshiron që skuadra e tij të jetë protagoniste. Është vërtet i zoti.

FITORJA NDAJ EVERTON
“Ishte një fitore që na bëri të kuptojmë se jemi në rrugën e duhur, se mund të luajmë si të barabartë edhe kundër kundërshtarësh si Evertoni e Lioni. Besoj se i kemi kartat në rregull për të kaluar fazën e grupeve. Ëndrra e të gjithëve është të ngremë trofeun e Europa League (qesh), por për të qenë realistë duhet t’i kalojmë ndeshjet një nga një. Detyrimi ynë është të qëndrojmë me këmbë në tokë, edhe pse e pranoj që arritja e disa rezultateve të ndihmon shumë: entuziazmi tani është i madh, si mes nesh, ashtu edhe te populli i mrekullueshëm bergamask”.

PENALLTIA E DIBALA
“Për të qenë i sinqertë, nuk kam bërë asgjë të veçantë në krahasim me të shkuarën, kur kam pritur edhe penallti të tjera. Dibala është fenomen, por e kuptova si do të gjuante. Më shumë se për veten, jam i kënaqur për skuadrën, sepse morëm një pikë të rëndësishëm dhe mëse të merituar, për nga mënyra si luajtëm. Unë hero? E pranoj që në Shqipëri Seria A ndiqet shumë dhe që kam shumë miq tifozë të Juventusit, të Milanit, Interit dhe gjithashtu të Napolit. Sidomos tifozët e Napolit më kanë falënderuar, sepse kanë marrë kreun e renditjes. Ishin shumë të kënaqur”.

NAPOLI PËR TITULL
“Po, sepse ka lojtarë të shkëlqyer dhe luan një futboll të bukur, por Juventusi për mua mbetet favorit. Ne e ndalëm, por më bëri përshtypje të shkëlqyer: bardhezinjtë vrapojnë gjithnjë me 1000 në orë, të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë dhe kanë mentalitet fitues”.

ISH-SKUADRA
“Në Torino është e vështirë për të gjithë, por Lacio ka konfirmuar edhe në këta dy muaj të parë të sezonit se ka një skuadër kreu dhe mund të vendosë në vështirësi çdo rival. Nga vitet në Romë ruaj një kujtim të shkëlqyer, sepse kam mësuar shumë dhe ia kam kaluar shumë mirë. U largova sepse doja më shumë mundësi për të luajtur dhe këtu në Bergamo jam i lumtur”.

ITALIA
“Sipas meje do të shkojë në Botëror. Ventura ka shumë lojtarë me vlerë dhe në ‘play-off’ nuk do të gabojnë. Në futboll diferencën e bëjnë detajet e veçanta dhe nëse ke lojtarë si Bufon, Kielini, Barzali, De Rosi dhe të tjerët, nisesh në avantazh”.

Share: