Redon Xhixha është një nga afrimet e verës te Laçi, teksa i riu ka spikatur te Shkëndija e Tiranës me golat e shënuar. Sulmuesi kurbinas ka plotësuar një ëndërr, pasi ka veshur fanellën e skuadrës së qytetit të tij dhe dje ka shënuar edhe dy golat e parë në Superiore.

Më parë kish shënuar pesë gola për 45 minuta në Kupë ndaj Sopotit, ndërsa këtë herë e pësoi Vllaznia. 19-vjeçari u shfaq pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, teksa deklaroi:

“E shtyva topin në rrjetë, por ishte jashtë vijës fatale. Ishte një fitore e shkëlqyer, falënderoj shokët për ndeshjen e mirë dhe për pasimet. Falënderoj edhe tifozët, të cilët në fakt sot nuk ishin të shumtë, ndaj u bëj thirrje që të vijnë sa më shumtë. Modelet që ndjek? Nga sulmuesit e huaj më pëlqen Levandovski, ndërsa nga shqiptarët Salihi”.

Xhixha ka edhe një dëshirë tjetër, që nuk i është realizuar sa ka qenë me moshat, edhe pse ka shënuar 27 gola me paratërinjtë dhe është shpallur golashënues. Ai do të veshë fanellën kuqezi dhe nëse vazhdon kështu me siguri trajneri i Shpresave, Alban Bushi, do ta kishte në konsideratë për të ardhmen.

“Kam shënuar shumë gola me moshat, por në asnjë moment nuk jam ftuar në Kombëtaret e moshave. Tani luaj në Superiore dhe shpresoj që të provoj të luaj me Shpresat. Do punoj fort te Laçi dhe më pas do pres momentin tim”, ka deklaruar Xhixha në “Sport Ekspres”.

Share: