Sulmuesi i Liverpulit, Mo Salah, është padiskutim një nga lojtarët më në formë në Premier Ligë, por jo vetëm. Egjiptiani po shkëlqen nën urdhrat e Jurgen Klop dhe jo më kot ka tërhequr edhe vëmendjen e Real Madridit. Mediat britanike dhe ato spanjolle e kanë lidhur ngushtë një transferim të Salah drejt “Santiago Bernabeu”.

Zërat në lidhje me këtë transferim kanë nisur që nga janari dhe vazhdonin të qarkullonin. Por Salah iu ka dhënë fund një herë e përgjithmonë këtyre zërave. Në një intervistë të tij për të përditshmen prestigjioze, “Marca”, Salah tha: “Unë dua të fokusohem tek ekipi ku luaj dhe të bëj më të mirën. Duam ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Sa i përket Realit të Madridit, nuk dua dhe nuk mund të flas. Nëse doni që unë të flas për ndonjë gjë, po iu flas për Liverpulin. Jam shumë i lumtur në “Anfield”. Gjërat që i përkasin së ardhmes do të diskutohen kur të kenë kohën e tyre”,- tha Salah.

Ekspertët në Angli janë të bindur se Salah është lojtar i denjë për Realin e Madridit. Gjithsesi, nëse këta të fundit duan të sigurojnë shërbimet e tij, atëherë do t’iu duhet të paguajnë më shumë se 100 milionë euro.

Share: