“Kjo është një miqësore. Do ta vlerësojmë maksimalisht, por e rëndësishme është të shohim ku jemi dhe sa jemi rritur. Kjo miqësore është perfekte për secilin prej nesh t’i japim sinjale pozitive trajnerit. Shpresojmë ta mbyllim me sukses këtë vit. Nuk duhet të shohim problemet e Turqisë”, tha fillimisht Armando Sadiku në konferencë për shtyp, ndërkohë që më tej flet për atë që ka sjellë trajneri Panuçi, apo edhe për rekordin e Bogdanit me 18 gola, apo arritjen e Bushit që ka shënuar 14. Vetë Sadiku me Kombëtaren ka gjetur rrugën e rrjetës nëntë herë.

“Mbyllim vitin futbollistik. Kemi patur më shumë kohë që të qëndrojmë së bashku, të forcojmë grupin tonë dhe për t’i dhënë mirëseardhjen lojtarëve të rinj. E vlerësojmë ndeshjen përballë një kundërshtari si Turqia”.

PUNA E PANUÇIT – “Është një trajner shumë serioz, që i shikon gjërat në detaje dhe bën stërvitje profesionale. Mendoj që trajneri ka futur një frymë të re në ekip. Këto ditë kanë shërbyer edhe për trajnerin, sepse ka pasur më shumë ditë që të na njohë, të bëjmë stërvitje. Ky grumbullim ishte pozitiv”.

MOTIVIMI TE KOMBËTARJA – “Deri më tani kam shënuar 9 gola në Kombëtare. Gjithmonë kur vesh këtë fanellë më bëhet mishi me kokrra. Kur këndohet himni, kur futem në fushë dhe kur vesh këtë fanellë për mua nuk ka lodhje. Mundohem të bëj disa gjëra, që ndoshta me klubin nuk i bëj për të dhënë 100 për qind për vendin tim. Do të mundohem në çdo ndeshje të shënoj. Rekordi i Bogdanit? Respekt për Bushin dhe Bogdanin që kanë shënuar shumë gola. Unë do të jap maksimumin, nëse do t’i arrij apo jo si golashënues, kjo do të shihet në të ardhmen”.

Share: