Armando Sadiku është transferuar nga Legia e Varshavës te Levante në Spanjë për rreth 1 milion euro. Në Poloni prisnin më shumë prej tij, por shënoi vetëm gjashtë gola, dy në kampionat e katër në kupë.

Sulmuesi ka folur për eksperiencën e tij në Poloni, teksa ka deklaruar ndër të tjera:“Qëndrimi im në stol ishte si të blesh një Ferrari dhe ta mbash në garazh. U zhgënjeva që nuk pata më shumë shanse. Nuk arrita objektivin tim për sa i përket numrit të golave, por si mund ta bëja kur nuk luaja. Gjithsesi, nuk i vë faj vetes, pasi bëra gjithçka munda dhe punoja mirë në stërvitje. Erdha te Legia pa fazë përgatitore dhe tani besoj se kam punuar mirë në dimër mund të luaj më shumë”.

Sadiku ka treguar gjithashtu se kalimi i tij te Levante ishte i papritur, pasi çdo gjë ndodhi brenda një dite dhe u konkretizua me sukses. Asnjë keqardhje për largimin dhe sulmuesi po përgatitet për aventurën e re.

“Nuk e kisha menduar të largohesha, oferta e Levantes ishte e papritur për mua. E mbyllëm gjithçka brenda një dite”.

 

Share: