Armando Cungu, trajneri i Vllaznisë, mbrëmjen e djeshme, në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport foli gjerë e gjatë për largimin e tij nga Vllaznia dhe për shumë gjëra të tjera.

“Te Vllaznia kam shkëlqyer jo aq sa tek ekipet e tjera. Kam ardhur në ekip në situatë të vështirë, kur ekipi ishte në vendin e parafundit. Më thirri zemra të jap kontributin tim aty dhe nga vendi i parafundit arritëm ta mbyllnim në të gjashtin, një sukses atëherë. Vjet ëndërroja të gëzonim tifozët, pasi prej shumë sezonesh kupat e Europës ishin larg. Vjet ka qenë një Vllazni që ka bërë ndeshje shumë të mira, duke rivalizuar me ekipe të forta. Kemi qenë disa javë në vend të katërt. Individë të caktuar janë treguar të papërgjegjshëm me fanellën e Vllaznisë. Na duhej një pikë për të shpëtuar dhe tre për të kapur vendin e katërt, ndërkohë që ekipe që nuk kishin marrë asnjë pikë, po merrnin fitore radhazi. Ndeshjen me Tiranën e kam vuajtur shumë, tensioni ka shumë i madh. Me gjysmë ekipi, disa mungonin për dëmtime dhe kartonë. Me arnim të ekipit, me lojtarë që luanin në pozicione jo të tyre, me mbështetjen e tifozëve ia dolëm. Nuk jam person që shquhem për të lavdëruar, por po aludohet për largimin tim në media”.

“Nuk është e vërtetë që jam shkarkuar. Pas ndeshjes me Kamzën kam pasur një ‘sms’ me kryetaren e bashkisë për të ndërprerë kontratën, Ka qenë një mendim i imi që në verë, pasi pashë që nuk mund të ndryshonin shumë gjëra. Dëshira ishte të vazhdoja, por me një ekip më kompetitiv. Nuk u bë diçka e tillë, por nuk m’u bë e rrugës ta lë ekipin në rrugë në atë moment. Për Vllazninë kam lënë ekipe që i kanë lakmi, jo se i kam refuzuar, por u kam kthyer përgjigje negative për të kontribuar te Vllaznia. Tre ekipe i kam refuzuar këtë verë. Kam kërkuar largimin vetë dhe zgjidhjen e kontratës në mënyrë konsensuale. Hapa rrugën për një trajner tjetër. Hijet e vjetshme u shfaqën, lojtarët që tallen me fanellën. Individë të caktuar nuk e ndjekin trajnerin, nuk janë profesionistë”.

“Nga kryebashkiakja s’kam pasur asnjë presion dhe e falënderoj. Me ikjen tim dëshiroj të hesht dhe të mos xhiroj problemet e Vllaznisë. Nuk ia vlente të vazhdonte me shfaqjen e hijeve të vjetshme. Mund të jem trajneri më jetëgjatë në periudhën e demokracisë në Shkodër”.

“Ata që më njohin e dinë se nuk ndikohem nga njohjet, apo nga aspekte të tjera. Kur vjen puna te profesionalizmi nuk hap rrugë. Qëndrimi im kaq gjatë tregon që nuk kam hapur rrugë. Zgjedhjet e mia në botëkuptimin tim kanë qenë të drejta dhe në fushë kanë zbritur ata që e kanë merituar. Nuk kam qenë vetëm për arritjen e këtyre sukseseve për mendimin tim. Diskutuam rënien prej hijeve. Nuk është gjë e vogël ta mbash në jetë Vllazninë. Kanë kontribuar një pjesë e futbollistëve dhe tifozët e mrekullueshëm, që shpesh më kanë dhënë kurajo për këto dy vite te Vllaznia. Telefoni im është mbushur me mesazhe falënderuese për punën dhe ndjejnë edhe keqardhje”.

“Më  i qetë në Shkodër apo jashtë? Absolutisht jashtë Shkodrës, me president”.

“Më bindi dëshira për të bërë më të mirën, më bindën edhe drejtuesit me dëshirën e mirë për të bërë gjëra të mira këtë vit. Kam kërkuar lojtarë nga Superiorja që i njoh, nuk njoh në Brazil, në Ganë apo në vende të tjera. Është detyrë e drejtuesve t’i gjejnë. E kam thënë që nuk marr dot lojtar me telefon. Të gjithë thonë kemi lojtarë të mirë, me kërkesa të larta për Vllazninë, por nuk pranojnë as të zbresin në fushë për një ditë”.

“Vrapi është një lojtar që e kam kërkuar dhe ka dhënë maksimumin. E falënderoj, edhe Bakajn, apo Orelesin, që jam lodhur tre javë ta sjell, nuk janë emra të rastësishëm. Gjithashtu edhe Lika, Hasani e Vucaj. Hebajn dhe Vecajn i solla nga moshat dhe ranë në sy për të kaluar jashtë vendit”.

“Nuk jam trembur para asgjëje, por kur hijet e ndeshjeve të sezonit të shkuar u shfaqën sërish dhe kur lojtarë të caktuar nuk japin maksimumin, them se duhen ndarë rrugët”.

“Kosova opsion? Nuk e di, nuk jap dot një përgjigje. Do mirëpres çdo interesim dhe respektim. Fillimisht dua të qetësohem dhe të qëndroj me familjen”.

“Nuk bëj pjesë në ata trajnerë që luajnë çdo levë për të shkuar në ndonjë ekip. Edhe si sportist ashtu ka qenë. Vetëm kush m’i bie telefonit ose i bie derës. Tani po kënaqem me familjen, kam nevojë për një periudhë më të gjatë qetësie”.

“Respekt Për Vllazninë, ka qenë një eksperiencë fantastike, jam krenar për veten, për pjesën dërrmuese të djemve. Nuk kam komunikuar me Gjokën, e kam koleg, e kam mik, por besoj se informacionet i ka marrë nga futbollistët besoj”.

“Për dëshirën time do kisha dashur ta mbyllja karrierën te Vllaznia. Doja të ikja që në verë. Ekipi nuk më ngrohte, nuk pashë lëvizje për të bërë ndryshime. Nuk kam asnjë pishman për largimin. Nuk më ka detyruar askush, vetëm bindja ime e plotë. Pishmani i vetëm mund të jetë pse nuk u largova në verë”.

“Vllaznia-Partizani? Unë nuk jam mburravec, as frikacak, kam kaluar dallgë të mëdha. Nuk ia uroj askujt atë që kalova vjet. Vllaznia ka bërë ndeshje të mira, kemi qenë dominues, por mungoi finalizimi dhe dhurimi i golave. Është një ndeshje mes dy rivalëve, edhe pse jo në pozita jo shumë të shëndosha. Janë rivalë të përjetshëm. Nuk mund të them kush fiton, pavarësisht se dua të fitojë Vllaznia, pasi jam shkodran dhe Vllaznia është ekipi im i zemrës”.

“Partizani? Edhe Konte po mos fitonte mund të thuhej se i dridhej pankina dhe mund të më thërriste, Nuk flas dot me hipoteza. Nëse ndonjë ekip më bind, do shkoj, nëse jo, do qëndroj pranë familjes”.

 

 

Share: