Në një intervistë për “Top Channel”, trajneri i Kukësit tregon se si erdhi në Shqipëri. Ai mund të vinte edhe më herët, por dikush vendosi të zgjidhte një tjetër. Pakult flet për ndryshimin midis futbollit shqiptar dhe atij gjerman e austriak. 58-vjeçari jep një përgjigje ndryshe, kur e pyesin për arbitrat dhe gjykimin. Në fund dy fjalë dhe për trafikun “Made in Shqipëria”.

ZGJEDHJA E KUKËSIT “Për Krishtlindje mora një telefonatë nga një miku im dhe më tha në isha i interesuar të vija në Shqipëri. Çështja u zgjidh për dy ditë dhe ja ku jam. Kam pasur edhe më parë kontakte për të qenë këtu, por këtë radhë u bashkuan shumë gjëra. Para disa vitesh isha kandidat dhe për Kombëtaren e Shqipërisë, por ashtu si rrodhën gjërat presidenti Duka bëri zgjedhjen e duhur”.

FUTBOLLI SHQIPTAR “Këtu në Shqipëri ka ndryshime me Gjermaninë dhe Austrinë, aty ku kam drejtuar unë. Edhe aty kërkohet sukses, por këtu kërkohet menjëherë. Të gjitha dëshirat kërkohen në realitet shpejt. Në futboll duhet pak kohë. Presidenti ynë është impulsiv, i kërkon rezultatet, por duhet pak kohë dhe unë kam besim se do t’i bëjmë ato”.

GJYKIMI “Të gjithë ata njerëz që i kundërshtojë apo i sulmojnë arbitrat duhet të bëhen një herë vetë arbitra. Unë mendoj se ata më shumë duhet të mbrohen sesa të kritikohen. Çdo trajner dhe çdo lojtar duhet të ketë më shumë respekt për gjyqtarët. Unë vetë nuk dua të përzihem me deklaratën e klubit, por është e vërtetë që arbitrat kanë gabuar disa herë, si në ndeshjen e fundit me Kamzën, por besoj se kanë qenë gabime njerëzore”.

TRAFIKU “Në Europë po ece në vijat e bardha është diçka tjetër, ndërsa këtu duhet të bësh shumë kujdes, pasi shoh gjëra të çuditshme. Duhet të bësh shumë kujdes, pasi në trafik shoh gjëra që nuk i kisha parë ndonjëherë”.

Share: