Arjan Roben shënoi dy gola në fitoren e djeshme ndaj Suedisë, por nuk mjaftuan për t’i dhënë kualifikimin Holandës në Botëror. Pas dështimit për të marrë pjesë në Europian, kjo ishte një goditje tjetër për “tulipanët”, të cilët nuk po përjetojnë më ato kohërat e arta.

Tashmë mesfushori i Bajernit të Mynihut e ka ndarë mendjen dhe me Holandën e ka mbyllur kapitullin.

“Kam menduar për largimin nga Kombëtarja për një kohë të gjatë. Doja të përfundoja këto kualifikuese, jam 33 vjeç tani. Po luaj në një klubet më të mira në Europë dhe dua të përqendrohem aty. Është një moment i mirë për të dorëzuar stafetën. Ndihem në formë të mirë dhe dua të qëndroj në maja sa më gjatë të jetë e mundur”, është shprehur Roben pas ndeshjes me Suedinë.

Roben numëron 96 ndeshje me Holandën, ndërkohë që ka shënuar 37 gola dhe ka asistuar në 29 gola të shokëve të skuadrës. Sulmuesi anësor do të mbahet mend si një lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij.

Share: