Karlo Ançeloti, trajner i Bajernit të Mynihut: “Është një emocion i veçantë të përballem me Realin e Madridit. I njoh mirë ata. Ne kemi shumë besim në forcat tona dhe duam ta fitojmë Ligën e Kampioneve këtë sezon. Mendoj se kemi aftësinë të mundim Realin, edhe pse kanë një skuadër fantastike dhe një trajner fantastik”.

 

Emilio Butragenjo, drejtor i Marrëdhënieve Institucionale te Real Madridi: “Bajerni ishte një ndër rivalët më të vështirë që mund të peshkonim, por besoj se edhe ata po thonë të njëjtën gjë për ne. Dy skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Anëeloti është trajneri i tyre dhe na njeh shumë mirë. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer në çdo rol dhe kanë shumë eksperiencë. Do të preferonim të përballeshim më tutje në kompeticion, por ky është shorti. Ndeshja e dytë në shtëpi të jep një avantazh të vogël, por ne duhet të luajmë mirë në Gjermani. E dimë që 20 minuta në Gjermani mund të jenë vdekjeprurëse. Nuk është shorti më i mirë i mundshëm, por kemi lojtarë me eksperiencë. Është një përballje madhështore”.

 

Hans-Joachim Vacke, President i Dortmundit: “Dëshironim të evitonim Bajernin dhe mendoj se ata dëshironin të na evitonin. Nga kjo pikëpamje, mendoj se shorti është i mirë. E pashë Monakon kundër Mançester Sitit dhe e kam të qartë që kanë një sulm fenomenal, me golaverazh +58 në kampionat. Është një ndeshje e vështirë. Në këtë nivel, nuk ka rëndë nëse e luan në shtëpi apo jashtë fushe ndeshjen e parë”.

 

Pavël Nedved, zëvendëspresidenti i Juventusit: :Është një përballje shumë tërheqëse. Barcelona është një prej skuadrave më të famshme në botë dhe ne duhet të përqendrohemi vetëm tek e tashmja, duke e ditur që edhe ne kemi një skuadër të nivelit të lartë. Mendoj se Juventusi është përmirësuar ndjeshëm që nga finalja e humbur në vitin 2015, mund të luajmë pa frikë ndaj Barcelonës”.

 

Vadim Vasiljev, zëvendëspresident i Monakos: “Është një short i bukur. Ashtu si ne, Dortmundi ka një stil loje shumë sulmues. Kam dëgjuar shumë të flitet për stadiumin dhe tifozët e tyre”.

 

Zhordi Mestre, zëvendëspresidenti i Barcelonës: “Kemi respekt maksimal për Juventusin, Dani Alvesh luan për ta dhe është një futbollist që e kemi shumë për zemër”.

 

Klemente Vijaverde, menaxher i përgjithshëm i Atletiko Madridit: “Lesteri ka treguar deri tani se është një rival i frikshëm. Ata janë këtu sepse e meritojnë të jenë dhe në turin e shkuar eliminuan një emër të madh si Sevilja, ndaj duhet kujdes dhe do të na duhet të shfrytëzojmë në maksimum shanset që do të kemi”.

Share: