Lacio mundi Milanin javën e shkuar dhe e ka nisur shkëlqyeshëm edhe në Europa League, duke fituar 3-2 në Arnhem ndaj Viteses, me përmbysje. Simone Inzagi bëri pak rotacion, por konfirmoi Strakoshën në portë dhe portieri i Shqipërisë nuk zhgënjeu (nota 6-7 në mediat italiane), edhe pse pësoi dy gola, tek të cilët kishte faj mbrojtja, ndërsa vetë Strakosha evitoi një gol në fundin e ndeshjes.

Spektakolar Milot Rashica (nota 6.5), i cili dha pasimet për dy golat e Viteses nga Matavz (33’) e Linsen (57’). I vendosur në krahun e djathtë të sulmit, si zakonisht, talenti i Kosovës “masakroi” Lukakun me depërtimet që sollën golat holandezë.

Lacio “fjeti” pak në pjesën e parë, por reagoi fuqishëm dhe Parolo (51’), Imobile (67’) e Murxha (75’) vulosën fitoren e parë sezonale në Europa League.

Share: