Mesfushori i Luftëtarit Behar Ramadani është i bindur se ndeshja e së shtunës do të flasë në favor të skuadrës së tij dhe Vllaznia do të dalë e mundur nga Gjirokastra.

Ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm të jugorëve dhe ndonëse tre sezone më parë erdhi në Shkodër dhe luajti gjashtë muaj për kuqeblutë, asnjëherë nuk arriti të shfaqë ato vlera që po shfaq tek Luftëtari ku ka gjetur plotësisht veten dhe është kthyer në një lider të kësaj skuadre. Duke folur në lidhje me ndeshjen e së shtunës, ai është shprehur se Vllaznia ka emër të madh, por Luftëtari do të fitojë.

“Do të jetë shumë e vështirë, sepse, asgjë nuk mund të parashikohet në këtë kampionat. Vllaznia ka një emër të madh, i peshon shumë fanella dhe, siç gaboi në fushën e saj, mund të fitojë në Gjirokastër.

Ne do të bëjmë maksimumin para tifozëve tanë për të fituar. Po punojmë me shumë përkushtim për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë 3 pikët.

Jam i bindur se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, që duam ta fitojmë, unë më shumë se të tjerët. Kam besim se do të jemi ne fitues”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Luftëtarit, Behar Ramadani.

Tags:
Share: