Kastriot Rama, ish-administratori i Burrelit, i ftuar dje në emisionin “E hëna Sportive”, deklaroi se te Burreli ka probleme të theksuara pagash, si dhe tregoi se në pushim të ndeshjes së të shtunës në dhomat e zhveshjes ka hyrë shoferi i kryetarit të Bashkisë, duke ndikuar te stafi teknik.

“Futbollistët, në këto tetë muaj kampionati, kanë marrë vetëm tre paga e gjysmë. Punëtorët e fushës në Burrel, kanë gjashtë muaj pa u paguar. Në ndeshjen e dytë me Kamzën kam pasur edhe një takim me shefin e rendit dhe më ka falënderuar për punën e mirë që kam bërë, sepse në 14-muaj që unë kam qenë në krye të klubit të Burrelit, nuk ka ndodhur asnjë incident. Për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet edhe në media, priteshin që të kishte incidente. Burreli është qytet sportdashës dhe njerëzit nuk kanë qejf që të fitojë kush në fushën e tonë. Unë nuk jam kundër të fitoje një ekip, apo dhe Kamza. Madje, e deklaroj edhe këtu, se Kamza ka një ekip të mirë dhe luan futboll të bukur”.

“Pas pjesës së parë, në dhomat e zhveshjes, ka hyrë shoferi i kryetarit të Bashkisë, duke urdhëruar Kullin, që të heqë nga fusha e lojës dy qendërmbrojtësit dhe sulmuesin Onu. Më pas ka shkuar te Tanushi duke i thënë: ‘kush je ti që karikon ekipin?!’ Normalisht, ata janë jabanxhinj, në vend të huaj dhe pa përkrahje. Nuk kanë faj. Aty është tkurrur ekipi dhe unë po i them gjërat troç. Për këtë kam ardhur këtu, që t’i them të bardhës të bardhë, e të zezës të zezë. Po të isha unë administrator i Burrelit, Kamza nuk do të fitonte asnjëherë”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Share: