Ditën e sotme ka qarkulluar një lajm që lëkundte pozitat e trajnerit Ernest Gjoka dhe është lakuar edhe një emër për ta pasuer ish-trajnerin e Kukësit.

Mojash Radonjiç është emri i trajnerit të përfolur, ndërkohë që klubi Vllaznia ka reaguar dhe ka një mesazh për të gjithë, sidomos për gazetarët.

“Të nderuar gazetarë, ne e kemi të qartë se situata aktuale tek Vllaznia nuk është e mirë dhe po punojmë fort për ta kapërcyer atë. Por ndërkohë, pavarësisht respektit që tregojmë ndaj jush dhe duke vlerësuar kontributin që jepni në dobi të sportit, ajo që po ndeshim ditët e fundit është një dëshirë për të prishur raportet në skuadër apo dezinformuar publikun.

Rasti më i fundit ka qenë ai i ditës së sotme kur flitet, shkruhet e diskutohet për gjoja emra kandidatësh për postin e trajnerit të Vllaznisë. Kjo nuk është aspak etike dhe normale. Sajesa të tilla të turpshme jo vetëm prishin harmoninë në skuadër, por edhe ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të saj. Nuk e dimë se cili është qëllimi i vërtetë i këtyre sulmeve dhe kujt i shërbejnë, por edhe njëherë ju bëjmë thirrje për pak më shumë seriozitet në punën tuaj.

Shkodranët duhet të jenë krah Vllaznisë dhe jo kundër saj. Ne jemi të vendosur për të mbështetur futbollistët dhe stafin teknik për nxjerrjen e ekipit nga kjo situatë sepse besojmë se i kanë mundësitë dhe aftësitë për ta bërë një gjë të tillë”.

 

 

Share: