Shqipëria kishte ditë që stërvitej në Turqi, ku sonte u përball me vendasit në Antalia në nje ndeshje miqësore që rezultoi mjaft e fortë.

Vendasit e nisën mirë, duke krijuar disa momente të rrezikshme në portën e Etrit Berishës, por nuk ia dalin të shënojnë dot.

Janë kuqezinjtë tanë ata që gjejnë rrugën e rrjetës dhe protagonist ishte Odise Roshi, i cili zbriti bukur nga e djathta dhe asistoi për Sadikun, që goditi fort brenda zonës dhe shënoi.

Ishte minuta 24-t, ndërkohë që 15 minuta më pas Roshi krosoi në zonë dhe këtë herë Sadiki realizoi me kokë. 0-2, por festa prishet disi në minutën e 41-të, me Memushajn që doli me karton të kuq pas dy të verdhëve.

Turqit shënuan direkt në pjesën e dytë me Ynder në të 47′, ndërkohë Shqipëria shënon në të 55′ me Eros Grezdën, që shënoi golin e parë me Kombëtaren.

Pesë minuta më vonë Akbaba shënoi për Turqinë, 2-3 rezultati, që është edhe përfundimtari, pasi nuk u shënua më gol dhe fitorja shkoi për Shqipërinë e Panuçit.

 

Share: