Prishtina arriti të mposhtë Gjilanin 2-1 në ndeshjen e fundit të javës së 17-të në Superligën e Kosovës dhe skuadra e Josës i afrohet kreut të renditjes, që mbahet nga Llapi.

Pas ndeshjes, Mirel Josa u duk i kënaqur me këtë fitore, ndërsa për ‘SuperSport’ u shpreh: “Së pari dua ti uroj futbollistët e dy skuadrave për impenjimin dhe lojën e treguar, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat u luajt sot ndeshja”.

“Gjithashtu uroj Gjilanin për lojën e treguar, pasi na vuri disa herë në vështirësi, pavarësisht se ishim në epërsi. Por, të rëndësishme ishin pikët e ndeshjes, pasi në këtë fazë duhet të kemi shumë kujdes dhe duhet ta mbyllim në mënyrën sa më të mirë”, u shpreh fillimisht tekniku.

Më tej Josa ka folur edhe për titullin kampion, i cili i mungon Prishtinës prej disa vitesh. “Nuk dua të flas për titullin kampion, pasi kemi ende punë për të bërë dhe duhet të shohim se si po hecin gjërat në vazhdimësi. Është e rëndësishme të organizohemi akoma më mirë, pasi për mua ka rëndësi të japim maksimumin nga ndeshja në ndeshje. Deri diku e kemi bërë këtë gjë, megjithëse ka patur momente kur kishim krizë të lojës”, deklaroi Josa.

Share: