Festim Miraka, portieri i Luftëtarit, është gjobitur dhe pezulluar nga klubi gjirokastrit për shkak të penalltisë që shkaktoi ndaj Kamzës. Portieri pogradecar goditi Stevan Raçiç brenda në zonë dhe për arbitrin Sino penalltia dhe kartoni i kuq për gardianin ishin të padiskutueshme.

Pas ndeshjes ka pasur një reagim të fortë për atë që bëri Miraka, ndërkohë që me anë të llogarisë së tij në “Facebook”, portieri sqaroi gjithçka ndodhi:

“Duke marrë shkak nga kjo që po thuhet lart e poshtë, sikur unë paskam bërë vrasje: e di shumë mirë që kam bërë gabim të pafalshëm, por ishte momentale, është hera e parë në karrierë që më ndodh kjo gjë. Nuk duhej të ndodhte, por tani nuk kthehet më pas. Unë e di sa e vuaj këtë gjë, që u ka ndodhur shumë lojtarëve. Është thjesht nerv momenti, i ndodhi edhe Etrit Berishës me Izraelin. Të gjithë jemi njerëz dhe gabojmë, e rëndësishme është të mos jetë me dashje, por Festim Mirakën po e pushkatojnë nga i pari tek i fundit. Në këtë vend të bëjnë sikur nuk ke askush për një gabim njerëzor, por ata që më njohin e dinë që unë kam derdhur gjak për këtë Luftëtar dhe është super mosmirënjohje që të më hedhin poshtë për një gabim momental që mund t’i ndodhë kujtdo. Për gabimin që bëra u kërkoj falje gjithë dashamirësve të Luftëtarit, shokëve të ekipit dhe atyre që e duan vërtet këtë ekip, jo atyre që të hedhin poshtë për një gabim njerëzor. Gjithsesi, nuk ka problem, sepse vetë jeta është e tillë, të mirat harrohen shumë shpejt, ndërsa me një të keqe të hedhin direkt në rrugë”.

Share: