Nuk ka paqe për Pizën, edhe pse prej pak muajsh ka ndërruar pronar dhe më në fund ka lënë pas krizën e thellë brenda klubit, me lojtarët që nuk paguheshin prej muajsh.

Megjithatë, në Itali ka rregulla, që duhen respektuar, ndaj vonesat në shlyerje detyrimesh financiare ndëshkohen ashpër, jo si në Shqipëri.

Fitoret në fushë nuk po duken më, ndërsa jashtë saj situata është mjaft e zymtë, sepse Piza tashmë është ndëshkuar edhe 3 pikë të tjera në renditje, pas 1 pike të hequr disa javë më parë.

Klubi toskan paguan mëkatet e presidencës së vjetër, që kishte fundosur klubin dhe po flitej edhe për përjashtim nga kampionati, ndaj ajo që po ndodh tani është e keqja më e vogël.

Gjithsesi, lajmi i fundit është një tjetër surprizë e hidhur për sulmuesit tanë, Rej Manaj e Edgar Çani, të cilët kanë mbetur jashtë kombëtares shqiptare për ndeshjet e radhës, kundër Italisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Tags: , ,
Share: