Shkëlqim Muça, ish-trajneri i Tiranës, ka dhënë një intervistë të gjatë në “Sport Ekspres”, ku flet për sfidën e titullit mes Kukësit dhe Skënderbeut, por bën edhe një koment mbi Tiranën dhe Partizanin.

Në fjalën e tij Muça shprehet se bardheblutë gabuan me largimet e bëra në janar, ndërkohë që edhe ai është i mendimit se Partizanit i është rënë në qafë këtë sezon.

“Ky kampionat, por veçanërisht gjysma e dytë e tij, ka qenë një katastrofë e vërtetë për Tiranën. Janë bërë shumë gabime, por ajo që dua të evidentoj ka të bëjë me largimin e disa lojtarëve të vjetër, me shumë përvojë, gjatë merkatos së dimrit. Kam parasysh këtu Muzakën, Vucajn e Nikën, lojtarë që do t’i kishin bërë shumë punë ekipit dhe nuk mund të largoheshin ashtu”, ka thënë ndër të tjera Muça, që me tej shton: “Duke iu referuar disa ndeshjeve, mendoj se Partizanit i është rënë në qafë nga gjykimi. Kam parasysh ndeshjen me Kukësin, me Flamurtarin tani në fund dhe ndonjë ndeshje tjetër. Partizanit i është mohuar diçka”.

Share: