Pas ndeshjes Luftëtari-Teuta janë shoqëruar në komisariat disa tifozë gjirokastrite dhe klubi bluzi ka dalë me një deklaratë mbështetëse për ta, ndërkohë që kërkojnë që për ta mos ketë asnjë masë, pasi ishte gjyqtari Blerim Ziri ai që shkaktoi gjithë atë zemërim në qytet.

Ndërkohë ata paralajmërojnë se do të dorëzojnë një dosje me veprimet e Zirit ditën e ndeshjes dhe një ditë para.

“KF Luftëtari, pas shoqërimit në komisariat të 5 tifozëve të skuadrës sonë, deklaron me forcë se tifozët duhet të mos përballen me asnjë pasojë në lidhje me atë çka ndodhi në përfundim të takimit Luftëtari-Teuta. Me anë të kësaj deklarate, Luftëtari bën me dije se në çdo hap do të mbështesë tifozët e tij. Në asnjë çast ne nuk jemi pro dhunës, por ajo që ndodhi të mërkurën në Gjirokastër provokoi një reagim që nuk është parë kurrë në qytet. Blerim Ziri dhe shpura e tij sajuan atë arbitrim, që provokoi një qytet të tërë. Luftëtari bën me dije se ka gati një dosje me fakte lidhur me veprimet e arbitrit Ziri një ditë para dhe ditën e ndeshjes. Dosja tashmë do të depozitohet në Prokurori, me shpresën se do t’i thuhet mjaft ‘kadinjve’ të tipit Blerim Ziri dhe zyrtarëve që i mbështesin ata”, shkruhet në deklaratën e Luftëtarin, postuar në faqen zyrtare në “Facebook”.

Share: