Aventura e Kristian Panuçit ka nisur me një çështje: Cikalleshi. Sulmuesi u la jashtë Kombëtares për ndeshjen me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë dhe në konferencën e sotshme për shtyp trajneri italian është “ngacmuar” sërish në lidhje me sulmuesin.

Këtë herë Panuçi nuk ka detyruar dhe është “zbrazur”, duke zbuluar se Cikalleshi e kishte njoftuar atë një orë pasi ishte nisur avioni.

“Kontrata firmosej në Tiranë, menaxheri mund të vinte në Tiranë, kontrollet mund të bëheshin në Tiranë. Avioni nisej në 8 të mëngjesit, telefonata më erdhi në 9 të mëngjesit, pas nisjes së avionit. Kjo është mungesë respekti ndaj meje dhe kombëtares. Kombëtarja është kombëtare, duhet respekt. Le të vinte menaxheri në Tiranë, ta firmoste kontratën, apo të gjendej një mënyrë tjetër”.

“Nëse dikush më telefonon dhe më kërkon leje sepse ka djalin sëmurë, le të vijë edhe të mërkurën, jo të hënën, sepse familja vjen para gjithçkaje. Megjithatë, nëse bëhet fjalë për një kontratë, atëherë menaxheri që merr përqindje nga kontrata, ai duhet të vijë në Tiranë. Këtu është kombëtarja, jo pazari i Tiranës”.

“E them këtë për të gjithë, jo vetëm për Cikalleshin. Nëse dikush vjen sot, dikush nesër, e kështu me radhë, atëherë gjithçka merr fund. Këto janë gjëra që ndodhin në çdo familje: të gjithë hanë në një orë, askush nuk duhet t’i vendosë këmbët mbi tavolinë, ka rregulla. Cikalleshi duhej të vinte në kombëtare, të firmoste këtu, do festonim së bashku për të, por duhej të ishte në Tiranë”.

Share: