Nuk ka surpriza as në ndeshjen e kthimit për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku në fund ky trofe do të diskutohet mes Skënderbeut dhe Tiranës.. Pas fitores në ndeshjen e parë në Korçë me rezultatin 1-0, të besuarit e Ilir Dajës arrijnë të marrin një tjetër sukses edhe në ndeshjen e kthimit duke siguruar kalimin për në finalen e këtij turneu. Ndërkohë, ky kualifikim i Skënderbeut për në finalen e Kupës ruan edhe ekuilibrat në kampionat, pas në rast se do të kalonte Teuta atëhere vendi i katërt do të ishte i pavlerë dhe gara do të prishej.

Pjesa e parë e kësaj ndeshje do të mbyllej me rezultatin 0-0, teksa me fillimin e pjesës së dytë do të vinte edhe goli që do të vuloste përfundimisht ndeshjen. Në minutën e 50’ është Liridon Latifi që do të zhbllokonte rezultatin për t’i dhënë skuadrës së avantazhin, por që në fakt me këtë gol u vulos edhe kualifikimi. Ylli i skuadrës korçare e dërgoi topin në rrjetë pas një kundërsulmi vrastar të Skënderbeut që e zgjidhi mjaft mirë këtë përballje delikate.

Deri në fund të ndeshjes rezultati nuk do të ndryshonte dhe Skënderbeu arrin të kalojë në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Tiranën më 31 maj të këtij viti, pasi nga ana e tyre bardheblutë mposhtën lehtësisht Besëlidhjen në “Selman Stërmasi” për të arritur edhe ata në finale.

Pas barazimit 1-1 në Kukës, ndeshja e kthimit në Tiranë nuk ka patur histori teksa bardheblutë u impenjuan dhe fituan me rezultatin e pastër 2-0 duke arritur kështu një objektiv të madh që i kishin vënë vetes së tyre. Fillimisht ishte Afrim Taku ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 23’-të pasi ktheu në gol një 11 metërsh duke i dhënë avantazhin ekipit të drejtuar nga Josa.

Megjithatë, pjesa e parë do të kishte edhe një tjetër gol. Në minutën e 40’ është Erjon Hoxhallari ai që do të dyfishonte shifrat për bardheblutë dhe vuloste njëherësh kualifikimin për më tej. Besëlidhja e kishte të pamundur që t’i kundërpërgjigjej Tiranës në lojë dhe kështu eleminohet këtu nga ky turne, duke shuar ëndrrat e saj. Ndërkohë, bardheblutë tashmë janë një hap larg shpëtimit të sezonit që vetëm Kupa mund ta bëjë diçka të tillë.

Share: