Kuqezinjtë do zhvillojnë miqësoren kundër Norvegjisë në mars. Me datë 26 djemtë e Panuçit do zbresin në “Elbasan Arena”. Konfirmimi vjen dhe nga vetë federata shqiptare e futbollit e cila nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “facebook” ka shpallur axhenden e kombëtares për këtë takim.

“Federata Shqiptare e Futbollit dhe homologia e saj norvegjeze kanë arritur akordin mes tyre për të luajtur në fund të muajit mars një ndeshje miqësore, në vendin tonë. Pikërisht në datën 26 mars (ora mbetet per tu konfirmuar ne ditët në vijim) do të zhvillohet në “Elbasan Arena” takimi miqësor mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Norvegjisë. Kështu, në këtë mënyrë, kjo datë e lirë për ndeshje miqësore do të shërbejë si një tjetër test për ekipin e drejtuar nga trajneri i ekipit tonë kombëtar, Christian Panucci.  Në përballjet e ekipit kombëtar, ballafaqimi i parë kundër skuadrës norvegjeze daton në vitin 1998 në Oslo përfunduar në barazim 2-2, ndeshje e vlefshme për eleminatoret e Euro 2000. Në një bilanc të përgjithshëm, me kombëtaren e Norvegjisë, Shqipëria është ndeshur 4 herë, ku ka fituar një herë (me gol të Salihit në Norvegji), ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë. Tashmë pritet një tjetër përballje, por këtë radhë miqësore, e cila do të jetë në funksion të trajnerit për kolaudimin e mëtejshëm të skuadrës”.

Tekniku Panuçi vazhdon punën për zbulimin e elementëve potencial për kombëtaren. Një i tillë i cili pëlqehet shumë nga italiani është 19 vjeçari Mërgim Berisha i cili është në pronësi të gjigandëve austriakë të Salzburgut dhe luan te Lasku Linzit. I riu Berisha luan si qëndërsulmues dhe deri më tani nuk është aktivizuar me asnjë kombëtare. Panuçi po mendon ta grumbullojë për miqësoren e marsit përballë nordikëve madje lojtari është kontaktuar  dhe Mërgimit i duhet të kthejë një përgjigje dhe të vazhdojë të paraqitet mirë.

 

Share: