Skënderbeu këtë verë ka bërë transferimin e radhës, me Liridon Latifin që u shit në Hungari te Pushkak Akademi për rreth 1 milion euro. Sulmuesi anësor i Kombëtares solli të ardhura të rëndësishme te korçarët, që pritet të përfitojnë sërish këtë janar.

Dy janë lojtarët që janë “piketuar” për t’u shitur: Bajram Jashanica dhe Bakari Nimaga, por më parë do duhet të afrohen lojtarë të denjë për t’i zëvendësuar.

Ndërkohë të ardhura të tjera priten nga Belgjika, pasi nigeriani Piter Olajinka është drejt transferimit në Rusi, sikurse raporton “Supersport”.

Aktualisht nigeriani është i huazuar te Zulte Varegem dhe paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme. 21-vjeçari është i huazuar nga Genti, ndërkohë që për të ofrohen rreth 8 milionë euro, shumë që normalisht skuadra belge nuk ka se si e refuzon.

Te Zulte Olajinka ka shënuar 4 gola në 10 ndeshje në kampionat, ndërkohë që po aktivizohet edhe në ndeshjet e grupeve të Europa League, çka ia rrit edhe më shumë vlerën sulmuesit.

Share: