E nis me humbje eksperiencën e dytë në tre vite në grupet e Europa Ligë, Skënderbeu. Pas një pjese të parë të mbyllur në avantazh, korçarët përmbysen në të dytën dhe janë të fundit në grupin B. ndërkohë sfida tjetër e këtij grupi mes Jang Bojs dhe Partizanit të Beogradit është mbyllur në barazim.

Ndeshja nis mirë për Skënderbeun, që duke qëndruar prapa dhe mos i dhënë shumë mundësi ukrainasve. Dinamo Kiev krijon më shumë përpara me Mbokanin që është ‘’strumbullari’’ i sulmeve të vendasve. Por Skënderbeu jo vetëm u mbrojt mirë por ia doli që të tentonte edhe përpara.

Minuta e 39’ është fatlume për bardhekuqtë pas një veprimi të buur të dyshes Xhejms – Soue dhe topi shkon tek Muzaka që godet saktësisht. Skënderbeu ia del ta mbyll në avantazh fraksionin e parë por e dyta nis ndryshe.

Brenda katër minutave të pjesës së dytë Dinamo përmbys Skënderbeun. Është fillimisht Sidorçuk që ‘’kopjon’’ Muzakën, duke shënuar një super gol dhe pas dy minutash Moraesh përfiton nga një pakujdesi në mbrojtjen për të kaluar përpara.

Ndeshja do të mbyllet në minutën e 65’ kur Mbokani nga pika e bardhë mbyll ndeshjen. Deri në fund rastet janë sporadike për të dy skuadrat. 10 minuta nga fundi është Vangjeli ka shansin ta rifus Skënderbeun në lojë por goditja e tij shkon mbi portë.

Pavarësisht humbjes Skënderbeu del me kokën lart nga “Olimpiski’’ dhe duhet të vazhdoj rrugën në Europa Ligë për të mbajtur lart edhe emrin e Superiores.

Share: