Ilir Daja dhe ekipi i tij janë gati të përballen me Dinamon e Kievit, ndërkohë që tekniku u korçarëve bën një analizë të situatës në grupin ku garojnë dhe shanset për të kaluar grupet.

Teorikisht nuk kanë shanse, por ata do e provojnë. Trajneri i Skënderbeut foli në “Supersport” edhe për sulmuesin Ali Soue dhe kampionatin.

RIVALËT NË EUROPË – “Jemi koshientë që të gjithë ekipet që kemi kundërshtarë në kupat e Europës janë me një koeficient shumë të lartë vështirësie. Akoma më shumë edhe ndeshja që kemi në Kiev kundër ekipit që është në vazon e parë në short, që do të thotë se kualiteti dhe cilësia e kundërshtarit janë në një shkallë më superiore. Por, futbolli është një sport subjektiv, ku shpresohet gjithmonë. Ne tashmë kemi një rrugëtim në grupet dhe në ‘play-off’-in e Europa Ligës, që do të thotë se nuk jemi rastësisht këtu. Do provojmë shanset tona, duke pasur ndoshta edhe fatin me vete”.

KALIMI I GRUPEVE – “Duhet të jemi me këmbë në tokë. Ne duhet të vazhdojmë cilësinë e lojërave dhe të përballemi mirë në grupe. Pse jo të shohim ndeshje pas ndeshje çfarë jemi në gjendje të bëjmë praktikisht, pasi teorikisht janë ekipet e tjera favorite. Futbolli i pranon të gjitha”.

ALI SOUE – “Një sulmues matet me gola dhe asiste. Pavarësisht se Soue nuk ka shkuar te goli, edhe në ndeshjen e fundit kanë qenë dy veprime të tij, qoftë në marrjen e penalltisë, qoftë në asistin për Muzakën. Kjo do të thotë që është në rrugë të mbarë. Ekipit mund t’i shërbejë me gola, por edhe me shërbime për shokët e skuadrës, gjë që e ka bërë. Shpresojmë të ‘thyejë akullin’ për golat e shënuar. Gjithashtu shpresojmë të paraqitet në vazhdimësi kështu. Është një forcë e shtuar për ekipin, i ngelet të luajë në këtë nivel”.

KAMPIONATI – “Ishte vetëm ndeshja e parë e kampionatit. Ne si objektiv primar kemi fitimin e titullit kampion dhe ky është fokusi i të gjitha energjive tona psiko-fizike. Paralelisht synojmë të bëjmë edhe një paraqitje të mirë në kupat e Europës”.

Share: