Ansi Agolli nuk është ftuat nga trajneri Kristian Panuçi për miqësoren me Turqinë, ndërkohë që nga ane e kapitenit të Kombëtares nuk ka asnjë polemikë, pasi në fakt italiani ka qenë i qartë për të.

Duke qenë se ëshë 35 vjeç Agolli pyetet shpesh se kur do heqë dorë nga Kombëtarja, ndërkohë që është ngacmuar edhe për një kalim te Skënderbeu. Në emisionin “Zona Gol” në Supersport ai ka zbuluar edhe pengun tij.

MUNGESA NDAJ TURQISË
“Panuçi më telefonoi dhe më shprehu besimin e tij. Për të unë vazhdoj të jem pjesë shumë e rëndësishme e kombëtares. Trajneri ka një projekt afatgjatë te Shqipëria dhe kërkon të provojë sa më shumë lojtarë kjo është arsyeja kryesore që unë nuk jam pjesë e këtij grumbullimi pasi bëhet fjalë thjeshtë për një ndeshje miqësore”.

TËRHEQJA NGA KOMBËTARJA
“Këtë nuk mund ta them, në futboll nuk mund të bësh parashikime, nuk e di edhe për sa kohë do të luaj. Unë gjithsesi ndihem i kompletuar për ato çfarë kam arritur me Shqipërinë. Jam kapiteni i kombëtares dhe kam luajtur në një kampionat europian, pasi përsa i përket me Shqipërinë kjo gjë është pamundur”.

CHAMPIONS
“Deri tani kemi bërë paraqitje shumë të mira me skuadrën e Qarabagut në Champions League, normalisht është një kënaqësi më vete të japësh më të mirën tënde, në mënyrë që ekipi të arrijë ato objektiva që ka. Sigurisht që u ndjeva mirë që e pashë veten në formacionin e javës në Champions. Unë te Skënderbeu? Kam kontratë me Qarabagun, ndihem mirë te klubi ku jam dhe dua të qëndroj sa më gjatë aty”.

PENGU
“Nuk kam asnjë peng nga karriera ime e deritanishme. Për fat të mirë i kam arritur të gjitha ato që kam dashur dhe për të cilat kam luftuar, gjithmonë bëhet fjalë brenda mundësive. Megjithatë kam edhe një dëshirë të fundit përpara se të var këpucët në gozhdë, të fitoj edhe një tjetër titull kampion me Tiranën, pasi ndjesitë dhe emocionet që kam përjetuar kur kam qenë pjesë e bardhebluve nuk do t’i harroj kurrë. Kam kaluar një periudhë të bukur te Tirana dhe kam ndjesi të veçanta për atë skuadër”.

Share: