“Në radhë të parë jam i lumtur që jam rikthyer te kombëtarja, sepse është gjithmonë kënaqësi të luash për ekipin kombëtar. Jam stërvitur mirë dhe jam në formë, ndaj shpresoj që të kem disa minuta në dispozicion, në sfidën e nesërme”, u shpreh fillimisht në deklaratën e tij për mediat Sabien Lilaj, që më tej foli për ndeshjen me Turqinë, duke analizuar kundërshtarin, ndërkohë që më tej foli për pozicionin e tij, raportin me Panuçin dhe në fund edhe për Skënderbeun.

KUNDËRSHTARI – “Natyrisht që kundërshtari është i një niveli të lartë dhe këtë e dinë të gjithë. Kanë futbollistë që luajnë në klube të mira, por ne do të bëjmë lojën tonë. Do të kërkojmë të paraqitemi mirë dhe pse jo të marrim edhe rezultat pozitiv në këtë sfidë”.

KONTAKTI ME TRAJNERIN DHE POZICIONI – “Nuk e kisha takuar asnjëherë Panuçin, por kjo nuk është e rëndësishme, sepse në kombëtare vlen vetëm paraqitja dhe forma e mirë për t’u aktivizuar. Këto ditë këtu na shërbyen për t’u njohur më mirë, si me trajnerin, ashtu edhe me njëri-tjetrin dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë. Roli im i preferuar është mesfushor para mbrojtjes, sepse aty ndihem mirë dhe besoj se jap më të mirën, por gjithsesi jam i gatshëm të luaj ku të më kërkojë Panuçi”.

SKËNDERBEU – “Jemi duke kaluar një moment të mirë, sepse kemi një grup lojtarësh që luajmë prej kohësh bashkë. Niveli i profesionalizmit është i lartë dhe kjo është përkthyer në rezultate. Natyrisht që do të jetë e vështirë të ruajmë ecurinë pa humbje, por e rëndësishme është që të mos e vëmë në dyshim asnjëherë fitoren e titullit, që është edhe objektivi ynë në këtë sezon”.

Share: