Barazimi i sotëm ndaj Vllaznisë ka treguar edhe njëherë se Korabi do të respektojë kampionatin deri në fund. Pas ndeshjes në Shkodër, trajneri Ermal Nexhipi për emisionin “Gol pas Goli” u shpreh se kjo ishte një dhurarë për ditëlindjen e tij:

A është dhurat më e bukur për ditëlindje dhe si e motivuat skuadrën? “E vërtetë, kjo ishte dhurata më e bukur dhe këtë kërkova sot nga lojtarët, që ma bënë. I falënderoj për këtë. Mendoj se e merituam pikën, është pikë morali, u kthyem te goli dhe te rezultati pozitiv. Uroj që kjo pikë t’u japë besim këtyre djemve për të luajtur deri në fund e për të respektuar kampionatin. Sot jam shumë i kënaqur.

A ka pasur premio nga palë të treta, për të luftuar fort në Shkodër? E prisja këtë pyetje. E them me sinqeritet, nuk ka pasur premio, nuk ka pasur asgjë. Thjesht jam i gëzuar për këtë dhuratë.

A do kemi më surpriza nga Korabi? Mos t’iu duket çudi. Nëse kjo skuadër është e plotë, i hap probleme çdo kundërshtari. Në ndeshjet e radhës na kthehen edhe lojtarë të tjerë, ndaj jam shumë optimist.

Gabimi i portierit të Vllaznisë te goli, dalja e gabuar e Selimajt? Edhe ai ma bëri një dhuratë. Unë jam portier, më vjen keq për Selimajn, e kuptoj që nuk ishte në pozicionin e duhur. Nga ana tjetër, më bëhet qejfi për Endrit Prençin, që luajti mirë sot dhe po rritet, besoj se do eci në karrierën e vet.

Share: