Trajneri Ramadan Ndreu pas ndeshjes për “Supersport” foli pas fitores në Kukës. tekniku i kamzalinjëve shprehet i kënaqur me atë që lojtarët e tij shfaqën në fushë, në të njëjtën kohë tregon dhe për lëvizjet në formacion dhe pse autori i golit e nisi nga stoli. Mund të quhen flori 3 pikët sot? “E kam deklaruar se pavarësisht mungesave, lojtarët që kemi kanë cilësi. Ju thash në analizë lojtarëve se nëse do kenë besim dhe do japin 100% do merrnim minimalisht 1 pikë, jo se nuk e mendonim fitoren. Treguam nivel dhe me Partizanin. Ishte një trepikësh i vlefshëm, na jep krah, na jep besim. Na garanton për qëndrimin. Është një kampionat i fortë”.

Presioni i fillimit… “Është një skuadër që në fillim të ushtron presion dhe u kisha bërë të ditur që duhet të ishim të kujdesshëm. Ishin raste sporadike, nuk na vunë në rrezik të madh. Erdhi goli që na dha sigurinë dhe në pjesën e pasme ishim të vendosur mirë dhe ishim të kujdesshëm. U munduam të shfrytëzonim hapësirat që do na krijoheshin me Plakun që është në formë shumë të mirë”.

Ndryshimet në formacion… “Lëvizjet jo të shpeshta në formacion krijojnë rivalitetin që çdo lojtarë të mendojë që të japë maksimumin sa herë i jepet mundësia. Rezi luajti shumë mirë në ndeshjen e parë, por nuk isha shumë i kënaqur me Partizanin. Ishte arsyeja që e filloj nga stoli, sapo hyri bëri më të mirën. E njëjta situatë me Raçiç. E kisha menduar të luanin ato lojtarë që të vraponin shumë, për të mos i lënë hapësirë kundërshtar. Në pjesën e dytë kur u aktivizua na dha kohë me topat e gjatë që i zhvendoste në anësore. Ishte zgjedhja e duhur”.

Skema… “Kishim mungesa, por lojtarët që ishin para mbrojtjes nuk ishin plotësisht mbrojtës. Ishim fokusuar në pritjen e topave të dytë që ktheheshin nga mbrojtja”.

 

 

Share: